Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ndaloi përdorimin dhe tregtimin, si dhe mbikëqyri asgjësimin e 5,560 kilogramëve misër me origjinë nga Serbia. Analizat laboratorike konfirmuan se përmbajtja e aflatoksinës B1 ishte mbi kufijtë maksimalë të lejuar. Asgjësimi u krye më 29 tetor 2026, nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së.
Masat u zbatuan në tri subjekte ekonomike:
- Agro Com Sh.P.K. në Fushë Kosovë: 3,270 kilogramë;
- Thermo-1 Sh.P.K. në Prugoc të Prishtinës: 1,040 kilogramë;
- NTP “Te Hysi” në Shtime: 1,250 kilogramë.
Aflatoksina B1 është toksinë e prodhuar nga disa lloje myqesh dhe mund të kontaminojë drithërat, veçanërisht misrin. Sipas AUV-së, ekspozimi i zgjatur ndaj saj mund të shkaktojë dëmtime të mëlçisë dhe të rrisë rrezikun e zhvillimit të kancerit.
AUV paralajmëron se toksina mund të kalojë edhe në zinxhirin ushqimor. Kur kafshët konsumojnë ushqim të kontaminuar, aflatoksina B1 mund të shndërrohet në aflatoksinë M1 dhe të kalojë në qumësht, duke paraqitur rrezik të mundshëm për shëndetin e konsumatorëve.
Agjencia u bëri thirrje fermerëve, prodhuesve dhe tregtarëve të ushqimit për kafshë të sigurojnë origjinën dhe gjurmueshmërinë e produkteve, të zbatojnë kushtet e duhura të ruajtjes dhe të mos përdorin ose tregtojnë misër në të cilin është konstatuar tejkalim i kufijve të lejuar të aflatoksinës B1.
AUV dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural njoftuan se do të vazhdojnë kontrollet zyrtare, analizat laboratorike dhe marrjen e masave për të parandaluar qarkullimin e produkteve që paraqesin rrezik për shëndetin e njerëzve dhe kafshëve. AUV theksoi se siguria e ushqimit për kafshë është pjesë e mbrojtjes së shëndetit të konsumatorëve dhe e sigurisë së zinxhirit ushqimor.