Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ndaloi përkohësisht shitjen dhe urdhëroi tërheqjen nga tregu të produkteve të mishit të ngrirë të pulës, të importuara nga Brazili nga kompania Apetit SHPK, pasi analizat laboratorike zbuluan praninë e bakterit Salmonella Minnesota. Konstatimi u bë gjatë kontrolleve të jashtëzakonshme të mishit të importuar, të urdhëruara nga ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja.
Vendimi përfshin dy produkte:
- Coopavel, me numër aprovimi SIF 3887 dhe lot R-14427;
- Superfrango, me numër aprovimi SIF 3404 dhe lot R20598.
AUV i ka vendosur produktet nën kontroll zyrtar dhe ka urdhëruar tërheqjen e tyre nga pikat e shitjes.
Sipas AUV-së, Salmonella Minnesota është serotip patogjen i bakterit Salmonella enterica dhe mund të shkaktojë infeksione gastrointestinale. Bakteri mund të transmetohet përmes konsumimit të ushqimit të kontaminuar, por edhe nga kontaminimi i kryqëzuar gjatë trajtimit dhe përgatitjes së mishit, për shembull përmes duarve, enëve ose sipërfaqeve të kuzhinës.
Agjencia u ka bërë thirrje qytetarëve që kanë blerë produktet me lotet e identifikuara të mos i konsumojnë dhe t’i kthejnë në pikat ku i kanë blerë.
Kontrollet po vazhdojnë për të verifikuar të gjithë sasinë e importuar, përfshirë gjurmueshmërinë e produkteve nga hyrja në Kosovë deri te pikat e shitjes, si dhe sasitë e shpërndara dhe ato që kanë mbetur në treg. AUV po verifikon gjithashtu etiketimin, datat e prodhimit dhe skadencës, certifikatat veterinare dhe kushtet e ruajtjes, si dhe po kryen analiza të tjera laboratorike.
Sipas agjencisë, operatori ekonomik mban përgjegjësi për sigurinë dhe gjurmueshmërinë e produkteve, tërheqjen e tyre nga tregu dhe informimin e konsumatorëve. AUV do të mbikëqyrë zbatimin e masave dhe, pas vlerësimit të rrezikut, do të përcaktojë trajtimin përfundimtar të produkteve, përfshirë asgjësimin nëse vlerësohet i nevojshëm. Agjencia ka bërë të ditur se do ta informojë publikun për rezultatet e kontrolleve dhe masat e mëtejshme.