Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kreu javën e kaluar një inspektim të jashtëzakonshëm në një kasap në Komunën e Vasilevës. Në një hapësirë frigoriferike në pronë private, e paregjistruar pranë Agjencisë, veterinerët zyrtarë gjetën dhe sekuestruan 400 kilogramë produkte të ngrira të përgatitura nga mishi dhe 70 kilogramë organe të brendshme.
Produktet e mishit përfshinin hamburgerë ose qofte, si dhe qebapë. E gjithë sasia u asgjësua në një deponi, në përputhje me procedurat ligjore. Për parregullsitë e konstatuara, u vendos mbyllja e përkohshme e hapësirës, ndërsa subjektit juridik iu shqiptuan gjoba për ushtrimin e veprimtarisë në një objekt të paregjistruar dhe për mosetiketimin e produkteve.
Sipas të dhënave të AUV-së, nga janari deri në gusht të vitit 2026, shërbimet inspektuese kryen gjithsej 74.838 kontrolle në segmente të ndryshme të zinxhirit ushqimor, në tregun vendas dhe në import. Gjatë kësaj periudhe u asgjësuan 69.776 kilogramë ushqim i pasigurt, u ndalua importi i 21.105 kilogramëve ushqim të pasigurt me origjinë jo shtazore, ndërsa dërgesa me gjithsej 122.602 kilogramë ushqim me origjinë shtazore u kthyen në vendet e origjinës.
AUV-ja tha se do të vazhdojë kontrollet e rregullta dhe të jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Sipas Agjencisë, kontrollet synojnë mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, parandalimin e tregtimit të ushqimit të pasigurt dhe mbikëqyrjen e respektimit të kërkesave ligjore e të sigurisë ushqimore.