Kreditë bankare janë një nga burimet kryesore të financimit për bizneset prodhuese në Kosovë, por normat e interesit dhe afatet e kthimit shpesh ua vështirësojnë investimet për zgjerimin e prodhimit. Banka Zhvillimore, premtim i kahershëm i Lëvizjes Vetëvendosje, ende nuk është themeluar, ndonëse qeveria ka ndërmarrë disa hapa përgatitorë. Ende nuk dihet sa do të kushtojë krijimi i saj, si do të financohet dhe çfarë kushtesh do t’u ofrojë bizneseve.
Shpejtim Kuçi, drejtor menaxhues i kompanisë së këpucëve “Solid Shoes” në Suharekë, thotë se bizneset duhet të fillojnë shlyerjen e kredive përpara se investimet të gjenerojnë të ardhura. Blerja dhe instalimi i makinerive, nisja e prodhimit dhe shitja e produkteve kërkojnë kohë, ndërsa këstet nisin të paguhen më herët. “Dhe ende pa siguruar të hyra apo fitim, në muajin pasues duhet të fillojë pagesa e këstit të kredisë, me kamata të larta. Kjo është e papërballueshme për shumë biznese”, tha Kuçi për Radion Evropa e Lirë. Edhe kompania që ai drejton ka kredi bankare.
Kuçi vlerëson se një bankë zhvillimore me interesa më të ulëta dhe afate më të gjata kthimi do t’u mundësonte prodhuesve të investonin më shumë. Ai thotë se banka duhet të ofrojë edhe periudha lehtësuese, gjatë të cilave huamarrësi mund të mos paguajë shumën bazë të kredisë, sipas kushteve të marrëveshjes. Sipas tij, Kosova është vonuar në krijimin e një institucioni të tillë.
Kreditë dhe financimi i bizneseve
Sipas Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), në gusht 2026 kreditë e qytetarëve dhe bizneseve kaluan 7 miliardë euro, prej të cilave mbi 4 miliardë euro u përkisnin bizneseve. Tregtia kishte marrë mbi 1.6 miliardë euro kredi, ndërsa sektori i prodhimit rreth 800 milionë euro. Bizneset paguanin mesatarisht rreth 7 për qind interes, me norma deri në 7.8 për qind për kategori të caktuara. Për prodhuesit, sfidë është edhe koha që u duhet investimeve për të gjeneruar të ardhura.
Në Kosovë funksionon edhe Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, i cili garanton një pjesë të rrezikut për bankat që u japin kredi ndërmarrjeve. Sipas një vlerësimi të Bankës Botërore, deri në shkurt 2026, Fondi kishte mbështetur me garanci mbi 20 mijë kredi, me vlerë të përgjithshme mbi 1 miliard euro. Prej tyre kishin përfituar afro 13 mijë ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme. Garancitë kanë ndihmuar veçanërisht bizneset pa kolateral të mjaftueshëm ose histori kreditore. Banka Botërore vëren se mungesa e monitorimit sistematik e vështirëson vlerësimin nëse ky financim ka ndikuar në krijimin e vendeve të reja të punës.
Në korrik, Fondi njoftoi zgjerimin e një programi garancish të mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe banka gjermane për zhvillim KfW, për të lehtësuar kreditimin e ndërmarrjeve. Ndryshe nga fondet e garancisë, të cilat mbështesin kreditë e institucioneve financiare ekzistuese, një bankë zhvillimore mund të financojë drejtpërdrejt investime afatgjata dhe sektorë që nuk marrin financim të mjaftueshëm nga tregu. Ende nuk është e qartë cilat nevoja të pambuluara do të trajtonte banka dhe si do të bashkëpunonte me mekanizmat ekzistues. Ekspertët e ekonomisë vlerësojnë se banka mund të ndihmojë investimet dhe prodhimin vendor, por rezultatet do të varen nga menaxhimi profesional dhe pavarësia nga ndikimet politike.