Strukturat e Bashkisë së Tiranës kanë nisur një aksion të dedikuar për rigjelbërimin dhe rikualifikimin e sheshit Nënë Tereza, një prej hapësirave më të rëndësishme publike në kryeqytet. Në këtë ndërhyrje janë angazhuar maksimalisht Drejtoria e Përgjithshme e Punëtorëve të Qytetit dhe Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit.
Sipas njoftimit zyrtar, pemët e thara dhe të dëmtuara janë hequr dhe zëvendësuar me fidanë të rinj, ndërsa sipërfaqet e gjelbra po rikualifikohen dhe sistemohen. Ky aksion ka si synim që sheshi të jetë i transformuar për Ditën e Përkujtimit të Shën Terezës.
Nga Bashkia e Tiranës bëhet e ditur se kjo ndërhyrje është pjesë e një plani më të gjerë për mbajtjen e një qyteti më të pastër dhe më të mirëmbajtur. Strukturat bashkiake njoftuan se do të vijojnë punën me intensitet të lartë për pastrimin dhe gjelbërimin e çdo zone të qytetit që ka nevojë për ndërhyrje.