Bashkimi Evropian ka lançuar fazën e dytë të programit EU4Municipalities (BE për Bashkitë), me vlerë 11 milionë euro, që synon forcimin e qeverisjes vendore dhe përmirësimin e shërbimeve publike në Shqipëri. Bashkia Mirditë është një nga bashkitë e përzgjedhura për këtë nismë, e cila fokusohet në zhvillimin ekonomik lokal dhe përafrimin e standardeve bashkiare me ato evropiane.
Në kuadër të Javës së Evropës 2026, në Bashkinë Mirditë u zhvillua aktiviteti rajonal për prezantimin e programit. Morën pjesë përfaqësues të Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shqipëri, institucione qendrore dhe vendore, partnerë ndërkombëtarë, organizata të shoqërisë civile si dhe qytetarë.
Kryetari i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, e cilësoi këtë javë si moment të rëndësishëm për reflektim mbi rrugëtimin evropian të Shqipërisë dhe partneritetin me BE-në. Ai theksoi se mbështetja evropiane ka sjellë përmirësime në infrastrukturë, shërbime publike dhe standarde vendore.
Drejtorja e Bashkëpunimit në Delegacionin e BE-së, Ritva Heikkinen, prezantoi detajet e programit. Ajo theksoi se 6.5 milionë euro nga totali do të shpërndahen në formë grantesh për bashkitë. Programi synon rritjen e cilësisë së shërbimeve publike, forcimin e transparencës dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal.
Gjatë aktivitetit u diskutuan sfidat kryesore të Bashkisë Mirditë, si emigracioni, zhvillimi ekonomik, infrastruktura dhe mundësitë për të rinjtë. U nënvizua nevoja për bashkëpunim të ngushtë mes pushtetit vendor, institucioneve qendrore dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në përfundim u vlerësua kontributi i partnerëve ndërkombëtarë, përfshirë Austrinë, Japoninë, Italinë dhe UNDP-në, në projekte sociale dhe zhvillimore në zonë.