Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Artan Behrami, ka kërkuar zyrtarisht nga Prokuroria zhvillimin e një hetimi të plotë dhe gjithëpërfshirës lidhur me pretendimet për parregullsi gjatë procesit të numërimit të votave të diasporës.
Në deklaratën e tij, Behrami theksoi se ka pranuar ankesa të shumta nga numëruesit, të cilët kanë vërejtur zarfe të hapur dhe të dyshimtë. Sipas tij, këto informacione ngrenë dyshime për mundësi manipulimi, ndaj ai u ka bërë thirrje qytetarëve që posedojnë dëshmi ose informacione rreth parregullsive t’i raportojnë ato pranë institucioneve kompetente.
Kërkesa e Behramit pason përmbylljen e procesit të numërimit të votave me kusht dhe atyre të personave me nevoja të veçanta. Rezultatet pas përfundimit të këtij procesi tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 47.13% të votave, duke marrë 53 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Ndërkaq, subjektet e tjera politike kanë shënuar këto përqindje: PDK me 19.44%, LDK me 16.69% dhe AAK me 6.74%.
Behrami nënvizoi se integriteti i procesit zgjedhor është çështje me interes publik dhe çdo dyshim duhet të sqarohet përmes një hetimi transparent, për të siguruar besimin e qytetarëve te procesi i votimit.