Çmimi i naftës në Shqipëri është rritur sërish dhe ka arritur në 199 lekë për litër në pikat e tregtimit me shumicë në kryeqytet. Kjo vlerë përfaqëson një rritje prej gati 25 lekësh krahasuar me çmimet para nisjes së konfliktit në Lindjen e Mesme më 28 shkurt, kur nivelet varionin nga 173 deri në 175 lekë për litër.
Shtrenjtimi buron nga rritja e çmimeve në bursë për shkak të tensioneve mes Iranit, Izraelit dhe SHBA-së, ku u sulmuan edhe objekte prodhimi të lëndëve djegëse. Të martën, nafta bruto Brent, çmimi ndërkombëtar i naftës, u rrit me 3% në 103.2 dollarë për fuçi, që është gati 50% më lart se nivelet para fillimit të konfliktit.
Të dhënat e doganave tregojnë se çmimi i naftës së importuar, me referencë çmimet e bursës PLATTS, kaloi nga 1206 dollarë për ton më 12 mars në 1225 dollarë për ton më 16 mars. Krahasuar me dy javët e mëparshme, importi është rritur me 337 dollarë për ton.
Çmimi i lartë në Shqipëri mbetet i ndikuar edhe nga taksat, si akciza, taksa e karbonit, taksa e qarkullimit dhe TVSH-ja 20%, që rëndojnë me 100-110 lekë për litër vetëm taksat.