Gjatë debatit publik për Propozim-ligjin për lojërat e fatit, ndalimi i reklamimit në media u shfaq si një nga çështjet më të kontestuara. Përfaqësuesit e sektorit të mediave dhe të industrisë argumentuan se ndalimi i plotë i promovimit për operatorët e licencuar mund të sjellë efekte të kundërta, duke favorizuar tregun ilegal dhe duke penguar informimin e publikut për shërbimet legale.
Drejtori i Lotarisë Shtetërore të Maqedonisë, Aleksandar Klimovski, propozoi ndryshime konkrete në projektligj, përkatësisht fshirjen e pikave 5 dhe 7 në paragrafin 1 të nenit 22. Sipas tij, nëse shteti e lejon këtë veprimtari, kompanitë duhet të kenë të drejtën të reklamojnë produktet dhe shërbimet e tyre.
Në të njëjtën linjë, përfaqësuesja e Asociacionit të Mediave Kombëtare Private (AMM), Snezhana Llupevska, sugjeroi që çështja e reklamimit të rregullohet përmes vendosjes së detyrueshme të mohimit të përgjegjësisë (disclaimer), të ngjashëm me praktikën që ndiqet te reklamimi i ilaçeve. Ky mekanizëm do të shërbente për të paralajmëruar për pasojat e mundshme dhe për të theksuar kufizimet e moshës, si ndalimi për personat nën 18 vjeç.
Përveç reklamimit, projektligji përballet me kundërshtime edhe për disa pika të tjera kryesore, të cilat janë kritikuar nga operatorët privatë:
• Vendosja e distancës minimale prej 500 metrash nga institucionet shkollore.
• Kufizimet për reklamimin përmes ndriçimit.
• Vendosja e taksave të larta për kompanitë private.
Ministrja e Financave ka mbrojtur projektligjin, duke argumentuar se këto masa synojnë mbrojtjen e qytetarëve dhe rregullimin e këtij tregu sipas standardeve ligjore.