Këshilli i Ministrave miratoi më 18 mars 2026 standardet thelbësore që operatorët e licencuar të basteve sportive online duhet të zbatojnë në Shqipëri. Ky vendim shoqëron rikthimin e basteve online me një kornizë të rreptë teknike dhe mbikëqyrëse, duke filluar nga infrastruktura e serverave deri te gjurmimi i transaksioneve financiare nga shteti.
Qëllimi kryesor është eliminimi i tregut të zi, mbrojtja e konsumatorit dhe transparenca totale fiskale.
Filtra për lojtarët dhe llogaritë
Sistemet nuk lejojnë regjistrim pa verifikim të plotë të identitetit. Për identifikim kërkohet ngarkimi i dokumentit të identifikimit të skanuar, verifikimi i moshës ligjërie dhe lidhja e llogarisë me numër telefoni ose email.
Llogaritë mbrohen me fjalëkalime komplekse prej minimumi 9 karaktereve dhe autentifikim me dy faktorë (2FA). Pas 5 përpjekjeve të pasuksesshme për hyrje, llogaria bllokohet automatikisht.
Platformat ofrojnë opsione për vetëpërjashtim dhe vendosje kufijsh financiarë, ku sistemi refuzon automatikisht bastet që i tejkalojnë këta kufij.
Infrastruktura dhe mbikëqyrja shtetërore
Platformat duhet të kenë arkitekturë që përballon flukse të larta, me kohë përgjigjeje nën 200 milisekonda dhe funksionim të garantuar 99.9% të kohës.
Çdo biletë basti, pagesë dhe fitim transmetohet në kohë reale në Sistemin Qendror të Monitorimit Online (SQMO) pranë Autoritetit të Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit (AMLF). Gjurmët digjitale ruhen të pandryshueshme për minimumi 5 vjet.