Qeveria shqiptare ka shtyrë sërish nisjen e basteve sportive online dhe do ta rishikojë ligjin përpara se të nisë veprimtaria. Ministri i Financave, Petrit Malaj, e bëri të ditur këtë gjatë diskutimeve në Komisionin e Ekonomisë, ku u pyet për vonesat në rikthimin e basteve në tregun shqiptar. Ai tha se kuadri ligjor dhe aktet nënligjore kanë përfunduar, por qeveria po e rishikon ligjin për të forcuar mbikëqyrjen dhe për të shmangur problemet sociale.
“Ne kemi mbaruar të gjithë kuadrin ligjor sa i përket basteve online, VKM-të përkatëse. Qeveria po e rishikon edhe një herë ligjin për të pasur një mbikëqyrje të kujdesshme, për të mos pasur probleme sociale. Pasi të mbarojë rishikimi i ligjit aktual do të fillojë operimi i lojërave të fatit”, tha Malaj. Sipas tij, operimi do të nisë pas përfundimit të rishikimit. Ministri nuk dha hollësi për ndryshimet që po shqyrtohen.
Gjatë diskutimit, deputeti demokrat Igli Cara ngriti shqetësimin për mungesën e të ardhurave në buxhetin e shtetit dhe informalitetin në treg. Ai tha se prej 7 vitesh shteti nuk ka përfituar të ardhura nga bastet dhe se tregu vijon të funksionojë në informalitet. Cara shtoi se, sipas tij, barra e kësaj situate po i kalohet biznesit të ndershëm.
Kuadri ligjor për rikthimin e basteve sportive online u plotësua me aktet nënligjore në shkurt 2024, rreth 28 muaj pas miratimit të ligjit. Megjithatë, deri më tani nuk është hapur gara për dhënien e licencave. Ligji parashikon 10 licenca për operatorët, ndërsa aktiviteti do të zhvillohet vetëm në platforma online, me identifikimin e përdoruesve përmes kartës së identitetit.
Pikat fizike të basteve në Shqipëri u mbyllën më 1 janar 2019. Një raportim i Shekullit sqaron se ndalimi përfshinte edhe lojërat në distancë, përfshirë bastet sportive online, si dhe lojërat elektronike.