Gjatë një seance parlamentare të mbajtur në Beograd, një përplasje verbale është shënuar mes kryetares së Kuvendit, Ana Brnabić, dhe deputetit opozitar Dobrica Veselinović. Debati lindi pasi Veselinović, anëtar i subjektit politik Fronti i Gjelbër, gjatë fjalimit të tij mbi sfidat shtetërore, përdori termin "fqinjët tanë" për t'iu referuar Kosovës.
Sipas Veselinović, mungesa e një zgjidhjeje për çështjen e Kosovës po ndikon negativisht në rrugën e Serbisë drejt Bashkimit Evropian. Ai vlerësoi se kjo çështje do të jetë vendimtare edhe në proceset e ardhshme zgjedhore në vend.
Pas përfundimit të këtij fjalimi, Ana Brnabić reagoi menjëherë për të distancuar institucionin që ajo drejton nga terminologjia e përdorur nga deputeti. Ajo deklaroi se, ndonëse nuk e ndërpreu deputetin për të respektuar lirinë e shprehjes në Kuvend, qëndrimi i tij nuk përfaqëson pozicionin zyrtar të Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë.
"Për Kuvendin Popullor të Republikës së Serbisë, këta nuk janë fqinjët tanë. Kosova është pjesë përbërëse e Republikës së Serbisë. Krahinë Autonome e Kosovës. Ky mund të jetë qëndrimi juaj dhe qartazi është qëndrimi juaj, prandaj nuk ju ndërpreva, por ky nuk është qëndrimi zyrtar i Kuvendit Popullor të Republikës së Serbisë", theksoi Brnabić.
Ajo shtoi se përdorimi i termit "fqinj" është një qasje personale e deputetit, e cila bie ndesh me narrativën zyrtare shtetërore të Beogradit mbi statusin e Kosovës. Debati reflekton ndasitë e thella brenda skenës politike serbe përkitazi me raportet me Kosovën.