Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm të Beratit shpalli fajtorë dhe dënoi katër persona për veprën penale të prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, të kryer në bashkëpunim, sipas nenit 283/2 të Kodit Penal. Të dënuarit janë shtetasit E.V., K.I., K.D. dhe R.I., të përfshirë në shpërndarjen e kokainës në lokalin e natës Star Club, në qytetin e Dimalit.
Hetimet nisën nga informacionet e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Dimal. Sipas dosjes, pronari E.V. drejtonte aktivitetin, duke siguruar dhe shpërndarë doza kokaine për klientët. Ai ndihmohej nga truproja K.D., menaxheri K.I. dhe kamarieri R.I., i cili merrte porositë dhe i përcillte tek shitësit.
Lënda narkotike fshihej në blloqet e murit rrethues të lokalit dhe ndahej në doza nga 0.2 deri në 0.5 gramë, me çmime nga 2000 deri në 5000 lekë. Klientët, pas konsumimit të alkoolit në lokal, kërkonin kokainën, të cilën e konsumonin në tualete. Të pandehurit përdornin termin "amaro" si kod për kokainën gjatë komunikimeve për shitje dhe fitime.
Gjykata vendosi dënimet pas procedimit penal nr. 319 të vitit 2023, ku akuza u vlerësua si e provuar plotësisht:
- E.V.: 12 vite burg, të reduktuara në 8 vite;
- K.I.: 7 vite burg, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj;
- K.D.: 7 vite burg, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj;
- R.I.: 7 vite burg, të reduktuara në 4 vite e 8 muaj.