Policia greke, në bashkëpunim me Europolin, arrestoi 10 persona gjatë operacioneve të zhvilluara në orët e para të 5 nëntorit në Selanik dhe Thesproti. Të arrestuarit dyshohen si pjesëtarë të një rrjeti që organizonte kalimin e paligjshëm të emigrantëve nga Shqipëria drejt Greqisë. Sipas hetimit, organizata vepronte të paktën që prej qershorit të vitit 2025 dhe kishte mundësuar kalimin e mbi 500 personave në 41 raste.
Shtatë nga të arrestuarit janë shtetas grekë, dy sirianë dhe një shtetase shqiptare 33-vjeçare. Emigrantët ishin kryesisht nga Nepali, Jemeni dhe Kina. Përfitimet e paligjshme të organizatës vlerësohen në të paktën 750 mijë euro.
Sipas hetimit, emigrantët udhëzoheshin të kalonin në këmbë shtigje të vështira malore. Pas kalimit të kufirit, strehoheshin përkohësisht në banesa ose tenda të improvizuara në zonat malore të Thesprotisë, deri në organizimin e transportit. Një grup mbështetës në zonën kufitare siguronte strehim, ushqim, ujë, karta telefonike dhe lehtësi transporti, të cilat, sipas policisë, u ofroheshin me çmime të larta. Pamjet e publikuara nga dronët tregojnë grupe njerëzish duke lëvizur në terrene malore dhe rrugë të izoluara.
Transporti drejt brendësisë së Greqisë kryhej kryesisht me autobusë ndërqytetës, drejt Athinës dhe Patrës, si dhe zonave bujqësore të Peloponezit. Një pjesë e udhëtimeve vijonte jashtë vendit. Hetimi ka evidentuar se emigrantët drejtoheshin edhe në zona me kërkesë për punëtorë bujqësie. Në disa raste, të dyshuarit u mbanin pasaportat deri në shlyerjen e borxhit të transportit përmes punës; në raste të tjera, pagesa bëhej paraprakisht. Të dyshuarit përdornin grupe të mbyllura në aplikacione komunikimi për të koordinuar veprimet dhe për të shkëmbyer informacione mbi lëvizjet e policisë.
Gjatë kontrolleve në tri banesa dhe një dyqan ushqimor u sekuestruan tri automjete, telefona dhe pajisje elektronike, 1 150 euro të lidhura me veprimtarinë e organizatës dhe katër pasaporta. Sipas policisë, njëri prej automjeteve dyshohet se është produkt i pastrimit të parave. U ndaluan gjithashtu 21 shtetas të huaj pa dokumente të ligjshme qëndrimi. Pesë prej tyre u gjetën në banesën e një të dyshuari, i cili, sipas hetimit, i strehonte dhe i punësonte në biznesin e tij pa përmbushur kërkesat ligjore.
Hetimi ka nxjerrë të dhëna edhe për një organizatë të dytë, që dyshohet se drejtohej nga një 23-vjeçar. Katër prej të arrestuarve dyshohet se kishin lidhje me të. Sipas burimeve, në veprimtarinë e rrjetit dyshohet se ishte përfshirë edhe një 26-vjeçar që ndodhet në paraburgim.
Operacioni u drejtua nga strukturat e emigracionit të Drejtorisë së të Huajve të Selanikut, me mbështetjen e policisë së Igumenicës, njësisë së dronëve të Selanikut dhe strukturave të të huajve në Patra, në kuadër të Planit Kombëtar Operacional dhe programit europian EMPACT 2.2 EAST MED. Të arrestuarit do të paraqiten para autoritetit gjyqësor kompetent të Thesprotisë.