Një zjarr i fuqishëm ka përfshirë mëngjesin e së dielës, 16 gusht 2026, resortin Mesopotam Agroturizëm, i cili ndodhet përgjatë aksit rrugor që lidh Sarandën me Syrin e Kaltër. Flakët, të cilat kanë rënë rreth orës 05:30, janë përhapur me shpejtësi në gjithë strukturën e objektit, duke sjellë shkatërrimin e tij të plotë.
Sipas informacioneve paraprake, nuk raportohet për persona të lënduar nga ky incident. Për momentin, shkaqet e rënies së zjarrit mbeten të panjohura, ndërsa pritet që hetimet dhe ekspertiza në vendngjarje të përcaktojnë origjinën dhe rrethanat e flakëve. Resorti, i ndërtuar rreth 3 vite më parë, konsiderohej një prej investimeve më të rëndësishme turistike në zonën e Mesopotamit.
Kjo ngjarje pason një tjetër zjarr të raportuar në orët e mbrëmjes në një hotel në Vlorë. Si pasojë e flakëve në atë rast, mbetën të lënduar 6 persona, nga të cilët 5 janë transportuar për ndihmë mjekësore më të specializuar në Tiranë, ndërsa dy prej tyre raportohen në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të djegieve.
Përditësime
Zjarrfikësit e Finiqit ndërhynë në vendngjarje duke izoluar flakët dhe shpëtuar kabinat prej druri në afërsi të strukturës së shkrumbuar. Grupi hetimor po shqyrton pistën e një shkëndije elektrike ose të një defekti në rrjetin e energjisë si shkak të mundshëm të rënies së zjarrit.