Ka nisur në sheshin “Skënderbej” dita e 16-të e protestës për çështjen e Zvërnecit. Pjesëmarrësit janë grumbulluar në qendër të kryeqytetit, për të marshuar më pas përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” deri te godina e Kryeministrisë, ku janë mbajtur edhe fjalimet e planifikuara.
Nismëtarët e lëvizjes kanë bërë thirrje për ruajtjen e qetësisë dhe unitetit, duke vendosur rregulla të reja për mbarëvajtjen e tubimit. Aktivisti Kola theksoi se marshimet nuk do të dalin më jashtë perimetrit të Unazës së Tiranës. Sipas njoftimit të organizatorëve, marshimi do të nisë në orën 20:30, nuk do të ndahet në grupe dhe do të lërë gjithmonë një korsi të lirë për emergjencat, duke shmangur lëvizjet spontane.
Këto masa vijnë pas incidenteve të ndodhura mbrëmjen e kaluar, kur një grup protestuesish u drejtua nga bulevardi kryesor drejt autostradës dhe më pas drejt Aeroportit të Rinasit. Ky veprim shkaktoi bllokim të qarkullimit dhe trafik të rënduar, deri në ndërhyrjen e forcave të policisë, të cilat ndaluan marshimin përpara se protestuesit të mbërrinin në aeroport.