Dogana bullgare ka sekuestruar lëndë narkotike dhe ar në pikën kufitare Kapitan Andreevo, në kufirin mes Bullgarisë dhe Turqisë. Ngjarja ndodhi më 26 shkurt 2026, gjatë kontrollit të një kamioni që transportonte lule nga Holanda drejt Turqisë.
Zbulimi u bë me ndihmën e qenit të trajnuar Krum, të specializuar për substanca narkotike. Pas kontrollit me rreze X, u identifikuan zona të dyshimta në kabinën e mjetit. Gjatë kontrollit fizik u gjetën 10 pako me pluhur që reagoi pozitivisht ndaj testit për kokainë. Vlera e kokainës tejkalon 1 milion euro, ndërsa bashkë me arin arrin mbi 1.430.000 euro.
Gjatë kontrollit personal të shoferit, shtetas turk, në xhepat e xhaketës u zbuluan tre pako me metal të verdhë, të cilat rezultuan mbi 5 kg ar. Autoritetet doganore bullgare theksojnë se ky është rasti i parë kur në të njëjtin transport kapen njëkohësisht drogë dhe ar.
Sipas pamjeve të transmetuara nga televizioni bullgar B TV, kamioni dyshohet se është i regjistruar në Kosovë dhe mban logon e kompanisë AL Cargo sh.p.k., me pronar Muharrem Murati. Autoritetet nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht regjistrimin, ndërsa kompania ka mohuar se mjeti u përket atyre. Kompania është e regjistruar për transport lulesh në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës.
Në hetim është përfshirë Drejtoria e Përgjithshme për Luftën kundër Krimit të Organizuar (GDBOP). Përveç shoferit, janë ndaluar edhe dy persona të tjerë, ndaj të cilëve janë ngritur akuza për bashkëpunim në trafik droge. Pika kufitare Kapitan Andreevo disponon katër qen të trajnuar për zbulimin e drogës, valutës së padeklaruar dhe cigareve kontrabandë.
Përditësime
Stanislav Vasilev, shef i njësisë operative në pikën kufitare Kapitan Andreevo, konfirmoi arrestimin e dy personave të tjerë të akuzuar për bashkëpunim në trafikim droge.