Zyrtarët e Sektorit Antikontrabandë të Doganës së Kosovës kanë zhvilluar një operacion të suksesshëm kundër kontrabandës dhe krimit ndërkufitar në rajonin e Prishtinës. Gjatë aktiviteteve operative, ata kanë ndaluar një automjet të dyshimtë në segmentin e autostradës Trudë–Prishtinë për kontroll doganor.
Gjatë kontrollit fillestar, zyrtarët kanë ngritur dyshime për ekzistimin e hapësirave të modifikuara në automjet. Pas një inspektimi të detajuar, janë zbuluar hapësira të fshehura, të njohura si "bunkerë" (të ndërtuara pas fabrikimit të mjetit), ku ishin fshehur 2 mijë e 550 fishekë të kalibrit 9 mm.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, automjeti, municioni dhe personi i dyshuar i janë dorëzuar Policisë së Kosovës, e cila ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e rastit në përputhje me kompetencat ligjore.
Dogana e Kosovës ka theksuar përkushtimin e saj në luftimin e kontrabandës dhe aktiviteteve të kundërligjshme, duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet e zbatimit të ligjit për të garantuar sigurinë publike dhe respektimin e ligjit në Republikën e Kosovës.