Gjatë një kontrolli në Ferizaj, zyrtarët e Doganës së Kosovës kanë konstatuar një shkelje doganore lidhur me importin e një ngarkese me flokë. Malli, i cili në dokumentacionin përcjellës ishte deklaruar si flokë sintetikë, u përzgjodh për kontroll fizik dhe dokumentar bazuar në sistemin e kritereve të riskut.
Pas inspektimit fizik, zyrtarët doganorë identifikuan mospërputhje mes karakteristikave reale të mallit dhe përshkrimit të dhënë nga importuesi. Për të verifikuar saktësinë e përbërjes, mostrat e marra nga kjo ngarkesë iu nënshtruan analizave të detajuara laboratorike.
Rezultatet e këtyre analizave, përfshirë testet kimike të tretshmërisë dhe analizat kualitative spektrale FT-IR, vërtetuan se të gjitha mostrat e testuara përbëheshin nga material keratinoz, përkatësisht flokë natyralë. Si pasojë e këtij deklarimi të pasaktë, është evidentuar një kundërvajtje doganore, pasi subjekti importues ka shmangur pagesën e detyrimeve doganore në vlerë prej 4,310 euro.
Institucioni i Doganës së Kosovës theksoi se vijon angazhimin për zbatimin e kontrolleve strikte, duke përdorur verifikimet fizike dhe laboratorike për të garantuar deklarimin e saktë të mallrave dhe për të mbrojtur të hyrat buxhetore të shtetit.