Dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë përmendin Shqipërinë 60 herë në dosjet e miliarderit Jeffrey Epstein, të dënuar për prostitucion dhe pedofili.
Ndër rastet kryesore është email-i i Thorbjørn Jagland, atëherë sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Europës, i datës 25 maj 2012. Ai i shkruan Epstein-it një ditë pas vizitës zyrtare në Tiranë më 24 maj 2012, ku zhvilloi takime me krerët e shtetit shqiptar. Në email thuhet: “Kam qenë në Tiranë (Shqipëri), vajzat janë të jashtëzakonshme. Do të shkoj në Jordani, Palestinë dhe Izrael. Do të kthehem të enjten.”
Email-i për kandidatet
Në një email të datës 29 mars 2017, të arkivuar si “kandidatet kryesore”, një bashkëpunëtor i dërgon Epstein-it listë me vajza, duke bashkëngjitur foto dhe video. Përmendet një vajzë ruse 18-vjeçare dhe një vajzë shqiptare që jeton në Nju Jork. Për shqiptaren thuhet se është “e gatshme të bëjë të gjitha llojet e punëve që dëshironi”, por ka probleme me dokumentet. Kërkohet konfirmim nëse Epstein dëshiron ta takojë ose komunikojë me të. Vajzat e tjera nuk jetojnë në Nju Jork.
Rasti i E.T.
Në mars 2017 përmendet një vajzë shqiptare me inicialet E.T., e cila aplikon për pozicion asistente personale përmes ndërmjetësi. Ajo dorëzon CV, tre foto personale dhe video prezantuese. Në CV deklaron se jeton në Tiranë, ndërsa në komunikim tjetër thuhet se ndodhet në Paris. Nuk ka komunikim të drejtpërdrejtë me Epstein. Dokumentet nuk sqarojnë nëse është e njëjta me vajzën e email-it të 29 marsit, por përputhet koha dhe kërkesat për foto dhe video.
Referenca të tjera ndaj shqiptarëve shfaqen në email-e nga vitet 2010 dhe 2013, në kontekste personale.