Dubai ka inauguruar plazhin e parë privat në botë që funksionon ekskluzivisht për gra dhe ofron shërbim 24 orë në ditë. Plazhi ndodhet në zonën Al Mamzar në verilindje të emiratit dhe ka filluar të presë vizitorë që nga fillimi i këtij muaji.
Zona është e rrethuar me gardhe për të garantuar privatësi maksimale. Autoritetet kanë vendosur rregulla të rrepta kundër fotografimit dhe sisteme inteligjente mbikëqyrjeje. Stafi është tërësisht femëror, përfshirë rojet bregdetare, ndërsa është krijuar edhe një hapësirë e posaçme për fëmijët.
Projekti bën pjesë në planin e zhvillimit të plazheve publike. Investimi raportohet rreth 700 milionë euro sipas një burimi dhe 3 miliardë dirhamë sipas një burimi tjetër. Pas përfundimit të fazës së dytë, Bashkia e Dubait parashikon që zona të tërheqë rreth shtatë milionë vizitorë në vit.
Ndryshe nga destinacionet e tjera në Emiratet e Bashkuara Arabe që ofrojnë vetëm ditë të caktuara për gratë, ky plazh mbetet i pari që siguron akses ekskluziv 24 orë në ditë.
Përditësime
Plazhi shtrihet mbi 125 mijë metra katrorë dhe ofron programe të posaçme për not gjatë natës.
Qeveria vendase deklaroi se plazhet lokale janë pjesë e një programi më të gjerë zhvillimi, në kuadër të planit gjithëpërfshirës të Dubait.