Interpol Tirana ka kryer këtë të enjte ekstradimin e shtetasit Mustafa Saliu nga Greqia në Shqipëri. Ai është dënuar nga Gjykata e Durrësit me 18 vjet burgim për veprën penale të trafikimit të fëmijëve, të kryer në bashkëpunim dhe nëpërmjet dhunës.
Sipas hetimeve, gjatë periudhës 2001-2002, Saliu, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar fëmijë nga Shqipëria drejt Greqisë. Këta fëmijë janë shfrytëzuar për lypje në rrugët e Athinës, nëpërmjet presionit dhe kontrollit të rreptë.
Në të njëjtën ditë, nga Gjermania u transferua për të vuajtur dënimin në Shqipëri shtetasi Florjan Musaj (Cojocareanu). Ai është dënuar me 8 vjet e 10 muaj burgim për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, të kryera në Gjermani.
Të dy personat do të vuajnë dënimet në sistemin penitenciar shqiptar.