Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka prezantuar në Kinë zhvillimet e fundit mbi projektet strategjike të infrastrukturës në Shqipëri. Gjatë pjesëmarrjes në Forumin Global të Transportit të Qëndrueshëm, ministri theksoi rolin e vendit si nyje strategjike në Korridorin VIII dhe Korridorin Adriatiko-Jonian.
Lidhur me Korridorin VIII, ministri njoftoi se gara për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë është në fazën përmbyllëse dhe kompania fituese pritet të shpallet brenda muajit nëntor. Gjithashtu, po vijon puna për zgjerimin e korridorit Elbasan-Qafë Thanë, ndërsa segmentet e para të bajpasit të Elbasanit janë kontraktuar dhe punimet kanë filluar.
Për Korridorin Adriatiko-Jonian, ministri konfirmoi se gara për hekurudhën Vorë-Hani i Hotit është drejt përfundimit. Ky investim, me një vlerë prej 360 milionë euro, parashikohet të hyjë në fazën e ndërtimit në fillim të vitit 2027. Po ashtu, po punohet për studimin inxhinierik të segmentit Murriqan-Balldren, i cili mbështetet nga grante të Bashkimit Europian dhe pritet të dorëzohet në janar të vitit 2027.
Ministri u ndal veçanërisht te projekti i autostradës Milot-Balldren, duke deklaruar se po punohet për finalizimin e kontratës dhe projektit teknik. Për të adresuar paqartësitë e ngritura së fundmi, ministri njoftoi se të gjitha dokumentet e projektit do të publikohen në platformën Flamingo Mirror, duke mundësuar transparencë për të gjithë të interesuarit.
Në kuadër të vizitës në Kinë, Karakaçi zhvilloi gjithashtu takime me stafin akademik të Institutit të Teknologjisë në Shangai, me synim krijimin e një bashkëpunimi studimor në sektorin e ujësjellës-kanalizimeve.
Përditësime
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, konfirmoi avancimin e projekteve kryesore rrugore në vend. Ai njoftoi se kanë nisur punimet në segmentet e para të bypass-it të Elbasanit, pasi janë lidhur kontratat përkatëse. Gjithashtu, ministri vlerësoi ecurinë e punimeve në zgjerimin e aksit Elbasan-Qafë Thanë, duke konfirmuar vijimin e planeve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore kombëtare.