Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i është drejtuar Gjykatës së Lartë me një kërkesë zyrtare për ndryshimin e masës së sigurisë "arrest në burg". Nëpërmjet mbrojtjes ligjore, Veliaj kërkon lirimin e menjëhershëm dhe shqyrtimin në themel të çështjes nga kjo instancë, pa e kthyer atë për rigjykim në gjykatat e shkallëve më të ulëta.
Sipas avokatëve, Gjykata e Lartë ka kompetencën ligjore për ta zgjidhur përfundimisht çështjen, pasi ajo është kryesisht juridike dhe kushtetuese, duke mos kërkuar administrimin e provave të reja. Mbrojtja argumenton se gjykata duhet të vlerësojë nëse masa aktuale është e domosdoshme dhe proporcionale.
Një tjetër argument thelbësor lidhet me mandatin e kryebashkiakut. Avokatët theksojnë se Veliaj është zgjedhur për një mandat katërvjeçar (2023-2027) dhe se vazhdimi i arrestit po e bën të pamundur ushtrimin e detyrës, duke cenuar të drejtën e qytetarëve që e kanë votuar. Mbrojtja paralajmëron se kthimi i çështjes për rishqyrtim në shkallët e tjera do të shkaktonte vonesa të pajustifikuara procedurale.
Së fundmi, mbrojtja ka kundërshtuar mbajtjen e Veliajt në kafazin prej xhami gjatë seancave gjyqësore. Sipas tyre, kjo praktikë cenon dinjitetin njerëzor dhe parimin e prezumimit të pafajësisë, ndaj kanë kërkuar që i pandehuri të lejohet të qëndrojë jashtë kësaj hapësire të izoluar gjatë proceseve të ardhshme.
Përditësime
Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar sot Gjykatën e Lartë të rishqyrtojë masën e sigurisë për Erion Veliajn, i cili aktualisht mbahet në Paraburgimin e Durrësit. Avokati Plarent Ndreca ka marrë përsipër komunikimin publik për këtë çështje, ku Prokuroria akuzon Veliajn për 13 episode të korrupsionit pasiv, në të cilat përfshihet edhe bashkëshortja e tij.