Alush Kastrati, 80-vjeçari i shpallur i zhdukur më 7 mars 2026 në fshatin Zatriq të Rahovecit, u gjet sot nga ekipet e kërkimit.
Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim njoftoi se personi u lokalizua pas angazhimit dhe kërkimeve intensive, në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Policinë e Kosovës. Operacioni u zhvillua me ndihmën e vullnetarëve, institucioneve dhe qytetarëve.
Shoqata falënderoi të gjithë kontribuuesit, duke vlerësuar bashkëpunimin dhe solidaritetin e tyre si faktor vendimtar për suksesin e misionit. Për gjendjen shëndetësore të Alush Kastratit pritet të jepen informacione shtesë në vazhdim.
Përditësime
Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale Gjakovë, konfirmoi se Alush Kastrati (80 vjeç) u gjet i vdekur disa kilometra larg fshatit Zatriq, në zonë malore. Hetimet vazhdojnë në prani të prokurorit. Mentor Maloku, kryetar i Shoqatës së Kërkim-Shpëtimit, konfirmoi gjetjen. Njësitë K9 dhe ekipet e kërkim-shpëtimit ishin të angazhuara që nga e shtunë në mbrëmje.