Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të hënë në fshatin Qatrom të qarkut Korçë, ku është gjetur trupi i një 65-vjeçari pa shenja jete. Trupi u konstatua nga banorët e zonës në një përrua të thatë, të cilët njoftuan menjëherë forcat e rendit.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se viktima mund të ketë qenë person endacak. Grupi hetimor ka kryer këqyrjen fillestare të vendngjarjes, ku nuk janë gjetur shenja dhune në trupin e viktimës. Bazuar në këto prova të para, autoritetet po hetojnë mundësinë e një vdekjeje për shkaqe natyrale.
Trupi është dërguar në morgun e Spitalit të Korçës, ku pritet t'i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes dhe për të bërë identifikimin e plotë të viktimës.