Ministria Gjermane e Ekonomisë po promovon heqjen e ditës së punës tetë-orëshe dhe zëvendësimin e saj me një maksimum orësh pune javore. Kjo reformë synon forcimin e sektorit të turizmit, i cili praktikon orë pune më fleksibël.
Koordinatori federal për Industrinë Detare dhe Turizmin, Christoph Ploss, deklaroi se futja e këtij maksimumi javore duhet të realizohet brenda vitit 2026, gjatë prezantimit të strategjisë para kabinetit në Berlin më 29 janar 2026.
Sipas legjislacionit aktual, dita e punës kufizohet në tetë orë, me mundësi zgjatjeje deri në dhjetë orë në raste të veçanta. Në këto raste, punonjësi kompensohet financiarisht ose me kohë të lirë. Pas zgjedhjeve të vitit 2025, partitë qeverisëse CDU/CSU dhe SPD ranë dakord në marrëveshjen e koalicionit për zëvendësimin e këtij modeli me një kufi javor. Ministria e Ekonomisë shpjegon se reforma synon një ekuilibër më të mirë midis punës dhe jetës personale.
Sindikatat gjermane kanë reaguar me protesta. Kreu i sindikatës Ver.di, Frank Wernecke, e cilësoi planin si "dritë jeshile" për punëdhënësit që të "shtrydhin çdo pikë të fundit nga punëtorët, pa marrë parasysh shëndetin e tyre". Në një deklaratë për gazetën Bild, ai premtoi luftë në biznese dhe në rrugë për të mbrojtur ligjin aktual.
Reforma është përfshirë në Strategjinë Kombëtare për Turizmin, të miratuar nga kabineti të mërkurën. Shoqatat e turizmit kanë kërkuar prej vitesh lehtësimin e rregulloreve ligjore për të zhvilluar sektorin.