Gjykata e Fierit ka regjistruar 571 raste zgjidhjesh martese për vitin 2025, me një mesatare prej një deri në dy kërkesash në ditë. Këto të dhëna nxjerrin në pah një numër të lartë martesash fiktive, të lidhura me persona që kërkojnë dokumentacion për kalim në shtete të tjera.
Avokati Ervis Goxhaj shpjegon se martesat fiktive përfshijnë raste ku burrat marrin mbiemrin e bashkëshortes për të shmangur dëbimet nga shtetet evropiane. Bashkëshortet lindin fëmijë me partnerë ose bashkëjetues të tjerë, por ligji njeh si baba bashkëshortin zyrtar.
"Një vajzë martohet për shkak të dokumenteve, por gjatë kësaj periudhe ajo mund të mbetet shtatzënë me personin që bashkëjeton. Ligjërisht fëmija i njihet personit me të cilin ajo ka bërë dokumente martesore ose martesë fiktive. Këta raste mund të rregullohen vetëm përmes mosnjohjes së atësisë", thotë Goxhaj.
Statistikat kryesore
• 571 raste zgjidhjesh martese në 2025.
• 29 padi për mosnjohje atësie në dy vite të fundit.
• 6 raste për njohje atësie.
Këto kërkesa për mosnjohje atësie shpesh shoqërojnë proceset e divorcit dhe lidhen me martesat fiktive, të cilat kryhen në shmangie të ligjit. Avokati Goxhaj vë në dukje mungesën e frenimit ligjor ndaj këtij fenomeni, për sa kohë që vazhdojnë përfitimet ligjore në shtete të tjera.