Kontratat paramartesore po hyjnë gradualisht në praktikën e çifteve shqiptare, veçanërisht në zonat urbane. Në vitin 2024, 1 në 3 martesa përfunduan në divorc, çka ka nxitur interesin për këto marrëveshje si mjet për menaxhimin e pasurisë.
Çiftet martohen më vonë, pas krijimit të pasurive, bizneseve, prona ose karrierave të pavarura. Gratë janë më të integruara ekonomikisht, ndërsa burrat më të ekspozuar ndaj riskut financiar. Divorci nuk konsiderohet më tabu absolut, duke e bërë kontratën paramartesore shenjë racionaliteti dhe jo parashikim dështimi.
Ligjërisht, Kodi i Familjes lejon çiftet të zgjedhin regjimin pasuror përmes kontrate të lidhur para ose gjatë martesës, duke dalë nga modeli standard i bashkësisë ligjore të pasurisë. Kjo hapësirë ligjore ekziston, por zbatimi është i rrallë dhe kufizohet te individë me interesa ekonomike të qarta.
Kush i përdor kryesisht
• Sipërmarrës me biznese të pavarura;
• Emigrantë të kthyer me pasuri të krijuara jashtë vendit;
• Persona në martesa të dytë.
Ideja ende përplaset me kulturën tradicionale që e sheh martesën si marrëveshje morale, jo juridike. Megjithatë, ndryshimet shoqërore po e promovojnë si aspekt të martesës moderne, ku romantizmi bashkohet me planifikimin.