Gjykata e Lartë ka nisur procedurën për ndryshimin e pjesshëm të praktikës së njësuar të Kolegjeve të Bashkuara në lidhje me vendimin unifikues nr. 7, të datës 14 tetor 2011, mbi masat e sigurimit personal. Nismën e ka marrë Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi.
Sipas njoftimit zyrtar, qëllimi është të garantohet një praktikë gjyqësore më e njëtrajtshme dhe në përputhje me standardet kushtetuese, legjislacionin shqiptar dhe parimet e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, veçanërisht sa i përket kufizimit të lirisë personale. Ky vendim unifikues i vitit 2011 ka shërbyer si referencë kryesore për gjykatat në interpretimin dhe zbatimin e masave të sigurimit personal për më shumë se një dekadë.
Procedura shënon ushtrimin për herë të parë të kompetencës së Kryetarit të Gjykatës së Lartë, sipas nenit 438 të Kodit të Procedurës Penale, për të kërkuar ndryshimin e pjesshëm të një praktike të njësuar. Seanca publike për shqyrtimin e çështjes do të zhvillohet më 9 prill 2026, në orën 09:30, në ambientet e Gjykatës së Lartë.
Përditësime
Gjykata e Lartë ka nisur ndryshimin e praktikës unifikuese për masat e sigurimit personal, duke synuar shmangien e arrestit me burg të menjëhershëm dhe duke dhënë përparësi masave alternative më të buta.
Ky ndryshim përfiton kategori personash nën hetim që nuk konsiderohen automatikisht të rrezikshëm vetëm nga natyra e veprës penale.
Trupi gjykues duhet të arsyetojë konkretisht nevojën e arrestit, të vlerësojë rrethanat personale dhe të analizojë opsionet alternative.
Mazhoranca kishte paralajmëruar më herët ndryshimin e praktikës unifikuese të Gjykatës së Lartë për masat e sigurimit personal. Praktika e re specifikon zyrtarët nën hetim si përfitues kryesorë.