Gjykata e Posaçme e Apelit ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Kristi Bixhekut nga paraburgimi, duke konstatuar se ai ka përmbushur kohëzgjatjen e dënimit të dhënë nga shkalla e parë. Vendimi bazohet në llogaritjen e periudhës së paraburgimit, e cila përfshin kohën e kaluar në Holandë për efekt ekstradimi, si dhe zbatimin e rregullit ku një ditë paraburgim vlen sa një ditë e gjysmë burgim. Sipas përllogaritjeve të gjykatës, dënimi prej 28 muajsh (2 vjet e 4 muaj) ishte përmbushur më 24 shtator 2026.
Kristi Bixheku ishte dënuar nga GJKKO më 9 qershor 2026 me 3 vjet e 6 muaj burgim, dënim i cili u reduktua në 2 vjet e 4 muaj pas aplikimit të gjykimit të shkurtuar për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”. Ndonëse çështja ndodhej ende në proces ankimi, gjykata arsyetoi se mbajtja në burg nuk justifikohej pasi koha e paraburgimit kishte tejkaluar masën e dënimit. Ky vendim u mor në referencë të nenit 261/1, shkronja “c” të Kodit të Procedurës Penale.
I pandehuri ka qenë pjesë e procedimit penal nr. 227/2023 të SPAK-ut, që lidhet me aktivitetet kriminale të grupit të Laert Haxhiut. Ndër akuzat fillestare ndaj tij ishin shkatërrimi i pronës me eksploziv, pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal dhe sigurimi i mjeteve për kryerje vrasjesh, përfshirë episodet ndaj shtetasve Bujar Turku, Resmije Turku dhe Genci Hida. Megjithatë, GJKKO e Shkallës së Parë e kishte shpallur Kristi Bixhekun të pafajshëm për këto akuza kryesore, duke e dënuar përfundimisht vetëm për përkrahje të autorit të krimit. Për zbatimin e këtij vendimi të lirimit, gjykata ka ngarkuar SPAK-un.