Trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Agim Kuçi, me anëtarët Gent Beka dhe Adnan Kamberi, ka shpallur vendimin për Princ Valentino Corleone në lidhje me akuzat për posedim të narkotikëve. Përveç dënimit me burgim me kusht, Corleone obligohet të paguajë gjobën prej 4 mijë eurosh brenda afatit prej 90 ditësh nga marrja e formës së prerë të aktgjykimit. Në rast të mospagesës, gjoba do të konvertohet në dënim me burg, ku çdo ditë burgu llogaritet në vlerën prej 20 eurosh.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prishtinës, ngritur më 29 qershor 2023, ngjarja daton më 17 mars 2023 në një motel në Çagllavicë. Corleone fillimisht akuzohej për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike. Gjatë kontrollit policor, të pandehurit i ishin gjetur një dozë dhe një qese me kokainë, me peshë të përgjithshme prej 0.39 gramësh. Në seancën fillestare të mbajtur më 22 prill 2025, i akuzuari ishte deklaruar i pafajshëm.
Sipas informacioneve të raportuara nga media, Vali Corleone ishte sjellë në gjykatë me detyrim më 21 shtator, pasi kishte munguar në dy seanca të mëparshme. Ky veprim erdhi pas urdhrit të gjykatës për sigurimin e pranisë së tij në seancën e shpalljes së vendimit.