Komuna e Gostivarit do të vërë në dispozicion 100 kuponë për mamografi falas për gratë dhe vajzat, në kuadër të Muajit të Ndërgjegjësimit për Kancerin e Gjirit, të njohur si “Tetori Rozë”. Nismën e bëri të ditur më 13 tetor kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani.
Limani theksoi rëndësinë e kontrolleve të rregullta dhe të diagnostikimit të hershëm në përballjen me sëmundjen. Ai tha se kuponët synojnë të mbështesin gratë dhe vajzat dhe t’i nxisin ato të kryejnë kontrolle parandaluese. Sipas tij, ndërgjegjësimi dhe diagnostikimi i hershëm kanë rol në ruajtjen e shëndetit të grave.
Në kuadër të aktiviteteve të “Tetorit Rozë”, Komuna e Gostivarit, në bashkëpunim me Shoqatën “Ezra”, zhvilloi edhe një punëtori informuese. Gratë dhe vajzat e pranishme patën mundësi të merrnin informacion dhe të diskutonin me profesionistë të shëndetësisë për kancerin e gjirit, rëndësinë e ekzaminimeve dhe mënyrat e diagnostikimit të hershëm.
Në punëtori morën pjesë dr. Miranda Izairi, specialiste e radiologjisë, dhe dr. Ilir Ismaili, onkolog. Ata ndanë këshilla dhe të dhëna për rëndësinë e kujdesit të vazhdueshëm ndaj shëndetit. Përmes këtyre aktiviteteve, Komuna e Gostivarit synon të rrisë ndërgjegjësimin për kancerin e gjirit dhe të nxisë gratë që t’u kushtojnë më shumë rëndësi kontrolleve parandaluese.