Bedri Hamza, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka reaguar pas vendimit të Bashkimit Evropian për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës. Ai e ka cilësuar këtë vendim si të vonuar, por të mirëpritur.
Sipas Hamzës, masat u vendosën për shkak të tensioneve dhe moskoordinimit politik të Qeverisë me aleatët. “Këto masa u vendosën si pasojë të tensioneve dhe moskoordinimit politik të kësaj Qeverie me aleatët tanë, megjithatë as progresi nuk mund të arrihet përmes ndëshkimit, por përmes partneritetit dhe bashkëpunimit”, ka deklaruar ai në një postim në Facebook.
Hamza ka theksuar se për Evropën problemi historik ka qenë Serbia dhe jo Kosova. “Kosova është pjesë e forcimit të stabilitetit dhe sigurisë në rajonin tonë”, ka shtuar ai.
Ai ka vlerësuar se masat ndëshkuese kanë prekur padrejtësisht qytetarët, ekonominë dhe perspektivën evropiane të Kosovës. “Qytetarët tanë nuk do të duhej të ndëshkoheshin për shkak të papërgjegjësisë së Qeverisë”, ka thënë Hamza.
Në fund, kreu i PDK-së ka rikujtur se qytetarët e Kosovës janë më proevropianët në Ballkanin Perëndimor. “Kosova meriton trajtim të drejtë, mbështetje të plotë dhe një rrugë të qartë drejt integrimit evropian, pa pengesa që e vonojnë këtë proces”, ka përfunduar ai.