Ish-kryeministri dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka nënshkruar nismën legjislative të Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD) për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Aktivitetet për mbledhjen e nënshkrimeve po zhvillohen në sheshin “Nëna Terezë” në Prishtinë.
Sipas IKD-së, qëllimi i kësaj nisme është forcimi i sundimit të ligjit përmes dy ndryshimeve të propozuara:
- Sanksionimi penal i moszbatimit të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
- Përcaktimi si vepër penale i përdorimit të parasë publike për përfitime elektorale gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.
Avdullah Hoti e ka vlerësuar nismën si të domosdoshme, duke theksuar se zhvillimet e dy viteve të fundit tregojnë një largim nga standardi i mëparshëm i respektimit të vendimeve gjyqësore. “Është e domosdoshme që sipas ligjit t’i mbajmë përgjegjës personat që nuk i zbatojnë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, deklaroi Hoti.
Naim Jakaj nga IKD-ja bëri të ditur se peticioni ka marrë mbështetje të gjerë nga organizata të shoqërisë civile, oda ekonomike dhe deputetë të Kuvendit. Mbledhja e nënshkrimeve pritet të vazhdojë në ditët në vijim, ndërsa organizatorët ftojnë qytetarët e tjerë që t’i bashkohen kësaj përpjekjeje në kryeqytet dhe në qytete të tjera të vendit.