Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, prezantoi sot pikat kryesore të reformës së inspektorateve, duke theksuar punën paraprake për krijimin e bazës ligjore.
Reforma ka si qëllim arritjen e këtyre objektivave kryesore:
- konsolidimi i inspektorateve për një strukturë më efikase dhe koherente;
- thjeshtimi i procedurave të inspektimit për të reduktuar burokracinë;
- rritja e transparencës në të gjitha procedurat;
- rritja e kapaciteteve të inspektorëve për profesionalizëm dhe efikasitet;
- ulja e konfliktit të interesit duke ndarë ankesat dhe ankimimet nga inspektoratet që vendosin gjoba;
- kryerja e inspektimeve përmes modulit të riskut për të shmangur ato të panevojshme.
"Qëllimi ynë kryesor është konsolidimi i inspektorateve, thjeshtimi i procedurave të inspektimit, rritja e transparencës dhe kapaciteteve të inspektorëve, si dhe ulja e konfliktit të interesit", deklaroi ministrja.
Ajo nënvizoi se inspektimet nuk duhet të jenë të shpeshta apo të përsëritura nga inspektorate të ndryshme. "Gjoba nuk duhet të jetë masa e parë ndëshkuese për bizneset. Masa parandaluese dhe paralajmërimi për vendosjen e penaliteteve duhet të jenë hapi i parë", tha ajo.
Sipas Ibrahimajt, reforma krijon një sistem më të drejtë dhe profesional, me transparencë, standarde të qarta dhe mbështetje për bizneset. "Qasja jonë ndaj bizneseve ka qenë gjithmonë lehtësuese. Synimi është që çdo inspektim të ndihmojë bizneset të vetëkorigjohen dhe jo të jetë një surprizë e papritur ose një gjobë e menjëhershme", shtoi ministrja.
Përmes këtyre ndryshimeve, inspektorët do të kenë plane pune të qarta, ndërsa bizneset do të përfitojnë nga një qasje më e orientuar drejt parandalimit.