Kanali i burimit ujor dhe ujitjes në fshatin Mirakë të Bashkisë së Librazhdit është rikthyer në funksion të plotë, duke mundësuar sërish vaditjen e tokave bujqësore për banorët e zonës. Aksioni u ndërmor nga IKMT si përgjigje ndaj denoncimeve të një grupi banorësh nga fshatrat Mirakë, Xibrakë dhe Polis, të cilët raportuan dëmtimin e infrastrukturës vaditëse përmes punimeve të paligjshme.
Pas verifikimeve të kryera në terren, inspektorët konstatuan se një shtetas me inicialet M.H. kishte vendosur tuba plastikë në kanal dhe kishte hedhur beton. Këto veprime, të realizuara pa lejen përkatëse nga autoritetet shtetërore, kishin reduktuar lëvizjen e ujit në diametrin e tubit dhe kishin penguar rrjedhjen normale të tij.
Pas evidentimit të shkeljes dhe kryerjes së procedurave administrative, IKMT ndërhyri për prishjen e punimeve të paligjshme dhe rikthimin e kanalit në gjendjen e mëparshme. Aktualisht, burimi ujor është rikthyer në funksion të plotë për nevojat e komunitetit bujqësor të këtyre tre fshatrave.