Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka dhënë disa këshilla për kujdesin ndaj shëndetit gjatë muajit të Ramazanit. Agjërimi ndikon në metabolizëm, hidratim, oraret e gjumit dhe aktivitetin fizik, prandaj institucioni thekson nevojën për masa parandaluese.
Ushqyerja e balancuar dhe hidrimi
• Konsumoni mjaftueshëm ujë gjatë natës dhe ushqime të lëngshme si supë, gjellë e sallatë.
• Shmangni pijet me kafeinë dhe ato të gazuara me sheqer për të parandaluar dehidratimin dhe kaloritë e tepërta.
Rekomandime për iftarin
• Filloni me hurma dhe ujë.
• Shtoni perime, drithëra integrale dhe proteina si pulë, mish pa yndyrë ose peshk.
• Kufizoni ushqimet e skuqura, të yndyrshme dhe të përpunuara.
• Hani ngadalë për të shmangur tejngopjen.
Rekomandime për syfyrin
• Konsumoni një vakt të lehtë me perime, bukë integrale, produkte bulmeti ose vezë, si dhe yndyra të shëndetshme si avokado.
• Shmangni ëmbëlsirat e tepërta, kripën dhe brumërat me yndyrë; zgjidhni fruta të freskëta si ëmbëlsirë.
• Mos anashkaloni syfyrin dhe mos e zëvendësoni vetëm me ujë, pasi kjo ul nivelin e sheqerit në gjak, duke zvogëluar energjinë dhe produktivitetin.
Mënyrat e gatimit dhe aktiviteti fizik
• Përdorni metoda si avullimi, pjekja ose gatimi me pak vaj.
• Ulni sasinë e kripës duke përdorur erëza dhe duke hequr kriporen nga tavolina.
• Qëndroni aktivë në mbrëmje; një ecje e rregullt ndihmon në kontrollin e peshës dhe ruajtjen e shëndetit.
Konsultimi me profesionistë
Bisedoni me mjekun ose farmacistin para se të ndryshoni regjimin e ilaçeve gjatë Ramazanit.
Këshilla për personat me sëmundje kronike
Personat me diabet të tipit 1 nuk e kanë të rekomanduar agjërimin për shkak të rrezikut të komplikimeve si ulja ose rritja e sheqerit në gjak, dehidratimi dhe ketoacidoza diabetike. Personat me diabet të tipit 2 ose hipertension, të cilët i kanë gjendjet nën kontroll, mund të agjërojnë, por vendimi merret pas konsultimit me mjekun.