Daut Gorani, kardiolog në Kosovë, ka deklaruar se po rritet numri i të rinjve të prekur nga sëmundjet e zemrës, përfshirë pacientë nga mosha 20 deri në 30 vjeç.
Sipas tij, gjatë muajve të fundit janë trajtuar raste të pacientëve shumë të rinj që paraqiten me sindromën akute koronare. “Kohët e fundit është vërejtur një trend në rritje i të sëmurëve nga zemra me moshë të re. Ne para disa muajsh kemi pranuar pacient të moshës 22-vjeçare, pastaj kemi 23-24-vjeçarë. Pra, nga mosha 20 deri në 30-vjeçare ka mjaft pacientë që vijnë me sindromën akute koronare”, ka thënë Gorani në intervistë për Ekonomia Online.
Ky trend lidhet me faktorët e rrezikut. Në krye renditen duhanpirja, e cila është e pranishme tek të rinjtë, dhe abuzimi me droga, pasi drogat shkaktojnë çarjen e arterieve koronare.
Faktorë të tjerë rreziku
• Kequshqyerja: Obeziteti është në rritje për shkak të konsumit të ushqimit të shpejtë, të pasur me yndyrna dhe sheqer.
• Stresi: Jeta dinamike dhe problemet e të rinjve ngritin nivelin e kortizonit në gjak, duke shkaktuar një zinxhir çrregullimesh që çojnë në atak kardiak.
• Diabeti: Po paraqitet gjithnjë e më herët tek të rinjtë.
• Faktorët gjenetikë: Mund të jenë vendimtarë, edhe në mungesë të faktorëve të tjerë.
Deklaratat e Daut Goranit janë raportuar nga Epoka e Re dhe Zëri, duke konfirmuar trendin e rritjes së rasteve kardiake tek të rinjtë në Kosovë.