Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka njoftuar se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka shqiptuar gjobë në vlerë 35 mijë euro ndaj KEDS-it. Kjo erdhi pas verifikimeve laboratorike të kryera nga Agjencia e Metrologjisë së Kosovës (AMK) dhe Komisioni Verifikues për njehsorët elektrikë ndaj 16 njehsorëve të konsumatorëve që kishin paraqitur ankesa.
Rezultatet e verifikimit treguan parregullsi të ndryshme:
- Në 6 raste, njehsorët kishin afat të skaduar të verifikimit;
- Në 6 raste të tjera, u evidentuan devijime në orë dhe datë;
- Në 1 rast, u konstatua heqje e miratimit të tipit të njehsorit;
- 3 njehsorë të tjerë janë ende në procedurë verifikimi laboratorik.
Bazuar në këto gjetje, IQMT mori vendimin për gjobën. MINTI dhe AMK bënë të ditur se verifikimet do të vazhdojnë në ditët në vijim për të mbrojtur konsumatorët dhe për të garantuar funksionimin e rregullt të njehsorëve elektrikë.
Konsumatorët mund të raportojnë rastet e dyshuara përmes numrit +383 46 311 000 në Viber ose në adresën elektronike konsumatori@rks-gov.net.
Sipas raporteve, kjo është gjoba e katërt ndaj KEDS-it. Më parë, kompania u ndëshkua me 6 mijë euro për dy njehsorë me afat të skaduar, me 30 mijë euro për gjashtë të tillë dhe me 90 mijë euro për herë të tretë. KEDS-i kishte njoftuar se do të dëmshpërblejë konsumatorët e dëmtuar nga pasaktësitë tarifore. Në fillim të prillit, Prokuroria Themelore në Prishtinë autorizoi Policinë për hetime lidhur me dyshimet për parregullsi në njehsorët e shpërndarësit të energjisë.