Gjatë muajit maj, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI) ka zhvilluar një proces kontrolli ndaj njehsorëve elektrikë, pas ankesave të konsumatorëve në Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Inspektorati Qendror i Tregut, bazuar në gjetjet e Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës dhe në përputhje me Ligjin për Metrologjinë, ka shqiptuar ndaj KEDS-it gjoba në vlerë totale prej 110,000 eurosh.
Sipas raportit zyrtar, kontrollet kanë evidentuar këto parregullsi teknike:
• 18 njehsorë me afat të skaduar validiteti.
• 2 njehsorë me miratim tipi të tërhequr nga përdorimi.
• 30 njehsorë që shfaqnin pasaktësi në datë dhe orë.
Raportet e verifikimit janë përcjellë te KESCO, me detyrimin që të bëhet kompensimi i të gjithë konsumatorëve të dëmtuar nga këto pasaktësi. Autoritetet shtetërore kanë konfirmuar se procesi i verifikimit do të vijojë derisa të shqyrtohen të gjitha ankesat e depozituara pranë institucioneve përkatëse.