Ish-zyrtari amerikan Jason Steinbaum ka reaguar lidhur me vendimin e fundit të Gjykatës së Hagës, e cila ka shqiptuar dënime që arrijnë në total 81 vite burg për ish-krerët e UÇK-së. Në një deklaratë për Euronews Albania, Steinbaum u shpreh kundër themelimit të këtij institucioni gjyqësor, duke vlerësuar se çështjet përkatëse mund të ishin trajtuar nga sistemi i drejtësisë së Kosovës.
Sipas Steinbaum, krijimi i kësaj gjykate la të kuptohej se fokusi i saj do të ishte ekskluzivisht te liderët e UÇK-së, duke shmangur ndjekjen penale të atyre që, sipas tij, kryen pjesën dërmuese të krimeve gjatë luftës në Kosovë. Ai theksoi se kjo qasje ka krijuar përshtypjen publike se qëllimi kryesor i gjykatës ishte dënimi i ish-krerëve të UÇK-së dhe jo i autorëve të krimeve të luftës.
Lidhur me procesin gjyqësor, Steinbaum ngriti dyshime se Gjykata Speciale nuk i ka shqyrtuar provat në mënyrën e duhur. Ai bëri thirrje që mbrojtja t'i shtrojë këto çështje gjatë fazës së apelimit. Ai shprehu shpresën se gjyqtarët e shkallës së dytë do të vlerësojnë mundësinë e një gabimi në vendimin fillestar, duke hapur kështu rrugën për një rishqyrtim të dënimeve të shqiptuara.