Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi shpalljen "Qytetarë Nderi" të kryeqytetit për katër ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi. Vendimi u mor me votat e mazhorancës dhe opozitës, pas propozimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili u mbështet nga Komisioni Artistik-Kulturor i Bashkisë dhe Komisioni i Titujve i drejtuar nga historiani Pëllumb Xhufi. Nderimi për katër figurat historike pason zhvillimet e fundit në Gjykatën Speciale në Hagë.
Në datën 16 shtator, Gjykata Speciale në Hagë shpalli fajtorë katër ish-krerët e UÇK-së. Gjykata caktoi dënime që në total arrijnë në 81 vite burg, ku Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burg secili, Kadri Veseli me 18 vite burg dhe Rexhep Selimi me 13 vite burg. Pas këtij vendimi, Kuvendi i Kosovës miratoi një deklaratë zyrtare përmes së cilës u kërkon institucioneve shtetërore të ndërmarrin të gjitha veprimet juridike dhe diplomatike të nevojshme për mbrojtjen e luftës çlirimtare.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili nuk ishte i pranishëm në sallë për shkak të mosdhënies së lejes nga GJKKO, theksoi në mesazhin e tij se ky vlerësim nderon kontributin e tyre të pamohueshëm për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Motivacionet zyrtare për çdo të nderuar janë si më poshtë:
- Hashim Thaçi: Vlerësuar për kontributin në luftën çlirimtare, përfaqësimin politik, rrugëtimin drejt pavarësisë me mbështetjen e SHBA-së dhe forcimin e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri.
- Kadri Veseli: Nderuar për përkushtimin ndaj lirisë dhe angazhimin e vazhdueshëm në afrimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
- Jakup Krasniqi: Vlerësuar për rolin në luftën çlirimtare dhe lidhjen e hershme me Tiranën si qendër mbështetëse për çështjen e Kosovës.
- Rexhep Selimi: Nderuar për kontributin ushtarak dhe lidhjen e veçantë me kryeqytetin shqiptar gjatë periudhës së luftës.
Përditësime
Gjykata Speciale në Hagë dënoi ish-drejtuesit e UÇK-së me 81 vite burg, ndërsa Kuvendi i Kosovës kërkoi mbrojtjen institucionale të luftës.