Këshilli i Ministrave miratoi të enjten, më 27 shkurt 2026, një seri vendimesh që prekin pagat në arsim, ushtri dhe polici, si dhe rregullime në arsimin parauniversitar dhe lojërat e fatit.
Vendimet parashikojnë ndryshime në strukturën e pagave dhe shtesat për grupe specifike.
Indeksimi i pagave
Ekzekutivi miratoi ndryshime në vendimin nr. 425, datë 26.6.2024, "Për miratimin e strukturës dhe të niveleve të pagave të punonjësve mësimorë dhe të punonjësve të tjerë jomësimorë në institucionet arsimore dhe në institucionet plotësuese të sistemit arsimor parauniversitar". Ndryshimet hyjnë në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe shtrijnë efektet financiare nga 1 janar 2026, me indeksim 2.5%.
Gjithashtu, u miratuan ndryshime në vendimin nr. 420, datë 26.6.2024, për trajtimin me pagë dhe shtesa mbi pagë të ushtarakëve aktivë të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Po kështu, u ndërhyrë në vendimin nr. 4, datë 9.1.2025, për elementet përbërëse të pagës bruto mujore dhe shpërblimet e punonjësve të Policisë së Shtetit, me indeksim 2.5%.
Inspektorati i ri i arsimit
U miratua vendimi për krijimin, organizimin dhe funksionimin e Inspektoratit Qendror të Arsimit Parauniversitar, i cili do të monitorojë dhe garantojë zbatimin e standardeve në institucionet arsimore.
Mbështetje për talente rinore
U miratuan rregullat, kriteret, mënyra e mbështetjes dhe masa e shpërblimit financiar për të rinjtë në Programin e Talenteve Rinore, për të nxitur dhe promovuar të rinjtë e dalluar në fusha të ndryshme.
Kontroll në lojërat e fatit
U krijua Regjistri Elektronik i personave për të cilët vendoset moslejimi për hyrje në ambientet e lojërave të fatit, faqet interneti, aplikacionet ose platformat elektronike. Vendimi përcakton rregullat për paraqitjen, shqyrtimin, miratimin, anulimin ose refuzimin e kërkesave për ndalim.