Misioni i KFOR-it ka demantuar raportimet e publikuara në disa media, sipas të cilave dy avionë të NATO-s kishin aterruar në Prishtinë gjatë së martës, në prag të vendimit përfundimtar për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëpërmjet një komunikate zyrtare, KFOR-i sqaroi se avioni që zbriti në kryeqytetin kosovar ishte një avion transporti belg, i cili nuk ka pasur asnjë rol apo aktivitet në mbështetje të këtij misioni paqeruajtës.
Zyrtarë të KFOR-it theksuan se këto njoftime nuk përputhen me realitetin dhe se misioni nuk ka konfirmuar asnjë lëvizje të tillë ushtarake të lidhur me situatën e sigurisë. Misioni ndërkombëtar theksoi se mbetet i pozicionuar në të gjithë territorin e Kosovës për të garantuar një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes, në përputhje me mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Këto sqarime vijnë pasi media të ndryshme raportuan për aterrimin e avionëve të kategorizuar në aplikacionin FlightRadar si “ushtarak/qeveritar”, duke sugjeruar një ndërlidhje me masat e sigurisë përballë paralajmërimeve të ambasadave për mundësinë e protestave gjatë shpalljes së vendimit për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin. KFOR-i përsëriti se bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in për të përballuar çdo situatë sigurie, duke ruajtur paanshmërinë në kryerjen e detyrave të tij.