Konfindustria ka ngritur shqetësim për vështirësitë që po hasin operatorët e huaj për të marrë pjesë në prokurimet publike të organizuara nga agjenci dhe kompani shtetërore. Sipas organizatës, këto pengesa krijohen përmes akteve nënligjore subjektive që bien ndesh me standardet e Bashkimit Europian.
Si shembull përmenden dy tendera ndërkombëtarë me vlerë rreth 70 milionë euro për projektet e Bypass-it të Elbasanit, të përgatitur nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Operatorëve të huaj u kërkohet që brenda 30 ditësh të kryejnë ekuivalentimin e licencave profesionale pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndërkohë që vetë procedura e shqyrtimit tejkalon këtë afat.
Konfindustria vlerëson se përjashtimi i operatorëve të huaj dëmton interesin publik dhe ekonominë kombëtare. Organizata thekson se kjo situatë rrit kostot e projekteve deri në 2.3 herë më shumë se standardet e BE-së dhe ul cilësinë e punimeve.
Sektorët më të prekur janë infrastruktura, energjia dhe teknologjia. Ndër institucionet që përmenden janë ARRSH, hekurudhat, portet, OST, OSHEE, KESH dhe AKSHI.