Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca, mori pjesë në një takim-drekë pune të organizuar nga Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), ku u diskutua mbi historinë dhe kontributin e mërgatës shqiptare. Takimi, i cili mblodhi imamë, përfaqësues të xhamive dhe aktivistë të diasporës, u zhvillua në ambientet e Medresesë Alauddin në Prishtinë.
Sipas Glauk Konjufcës, mërgata shqiptare dallon nga ato të vendeve të tjera, pasi formimi i saj nuk është rrjedhojë e dëshirës për ndryshim vendbanimi, por pasojë e rrethanave të vështira politike dhe historike. Ministri theksoi se pjesa më e madhe e diasporës është krijuar gjatë periudhave të okupimit, kur popullsia përballej me dhunë, mizori dhe krime. Ai nënvizoi se shqiptarët nuk janë mërgatë e sfidave të jetës, por një popull i dëbuar nga kushtet e rënda.
Nga ana e tij, drejtori i Drejtorisë për Diasporë në BIK, Ekrem Simnica, vlerësoi lart rolin e mërgimtarëve, duke i cilësuar ata si ambasadorët më të mirë të popullit dhe fesë islame në botë. Simnica vlerësoi përkushtimin e tyre në ruajtjen e identitetit kombëtar e fetar, ndërtimin e xhamive e qendrave islame, si dhe edukimin e brezave të rinj.
Sipas Simnicës, lidhja e mërgatës me vendlindjen ka mbetur e fortë ndër vite. Ai vuri në dukje se kontributi i tyre nuk është kufizuar vetëm në vendet ku jetojnë, por është shtrirë edhe në mbështetjen e vazhdueshme për familjet, shtetin e Kosovës dhe vetë institucionin e Bashkësisë Islame të Kosovës në momentet më të vështira dhe në periudhat e mbarësisë.