Republika e Kosovës ka shënuar një moment të rëndësishëm në fushën e diplomacisë, me hapjen e selisë së përhershme të Ambasadës së saj në Londër. Ky hap vlerësohet si një zhvillim që forcon praninë shtetërore dhe përfaqësimin e interesave të vendit në Mbretërinë e Bashkuar.
Objekti i ri, i cili ndodhet në adresën 9 Orme Court, London W2 4LR, pritet të shërbejë si një qendër për avancimin e bashkëpunimit dypalësh. Sipas njoftimit zyrtar të Ambasadës së Kosovës në Londër, selia e re do të funksionojë si një urë e fuqishme miqësie dhe partneriteti mes dy vendeve.
Institucioni diplomatik e ka cilësuar këtë ngjarje si një kapitull të ri në praninë ndërkombëtare të Kosovës, duke theksuar përkushtimin për ruajtjen dhe zhvillimin e marrëdhënieve të ngushta me autoritetet britanike.