Presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, ka shprehur shqetësimin mbi procesin e armatosjes së Serbisë, duke e vlerësuar këtë zhvillim si sfidë për sigurinë rajonale. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë përkujtimore të 31-vjetorit të operacionit ushtarako-policor Stuhia, mbajtur në qytetin e Knin, Millanoviq theksoi se Kroacia duhet t'i monitorojë me kujdes zhvillimet ushtarake në fqinjësi që mund të ndikojnë në stabilitetin e sigurisë kombëtare.
Kryeministri kroat Andrej Plenkoviq vlerësoi operacionin si vendimtar për rrjedhën e luftës, duke përmendur shpëtimin e Bihaqit nga një katastrofë humanitare dhe ndryshimin e balancës së forcave që çoi në Marrëveshjen e Dejtonit. Nga ana e tij, ministri i Mbrojtjes, Ivan Anushiq, theksoi se pjesëmarrësit ndjenë krenari për fitoren dhe krijimin e shtetit të pavarur. Ceremonia përfshiu demonstrime ushtarake nga Forcat e Armatosura të Kroacisë, përfshirë fluturime të avionëve luftarakë Rafale dhe helikopterëve ushtarakë.
Operacioni Stuhia nisi në mëngjesin e 4 gushtit 1995 dhe zgjati 84 orë. Sipas autoriteteve kroate, në këtë operacion u angazhuan rreth 200 mijë pjesëtarë të ushtrisë dhe policisë, duke çliruar 11.400 kilometra katrorë territor. Të dhënat zyrtare kroate konfirmojnë humbjen e jetës së 242 ushtarëve kroatë, ndërsa dy persona rezultojnë të zhdukur.
Nga ana tjetër, vlerësimet për këtë ngjarje mbeten të ndryshme në rajon. Në Serbi dhe në entitetin e Republikës Sërpska, operacioni përkujtohet si një eksod i popullsisë serbe dhe spastrim etnik. Sipas të dhënave të Këshillit Kombëtar Serb, më shumë se 200 mijë qytetarë me përkatësi etnike serbe u larguan nga Kroacia, ndërsa numri i të vrarëve gjatë dhe pas operacionit vlerësohet të jetë pothuajse 2.000 persona. Çështja vazhdon të mbetet një temë e ndjeshme në marrëdhëniet mes dy vendeve, me këndvështrime të kundërta mbi pasojat historike të operacionit.