Arjeta Mjeku, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit KRU "Prishtina", ka bërë thirrje që konsumatorët e sistemit publik të ujësjellësit të nënshkruajnë kontratat për shërbime.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë në emisionin "Mirëmëngjesi Kosovë" të RTK-së, ajo shpjegoi se kontratat rregullojnë marrëdhëniet juridike mes kompanisë dhe konsumatorëve, duke përcaktuar të drejtat dhe detyrimet e palëve. Çdo konsumator i kyçur në sistemin publik është i detyruar ta nënshkruajë kontratën.
Sipas Mjekut, konsumatori që nuk e nënshkruan kontratën merr një afat ligjor prej rreth 10 ditësh. Nëse nuk respektohet, mund të shkyçet nga furnizimi me ujë të pijshëm. Deri tani janë nënshkruar mbi 70 mijë kontrata, ndërsa kompania furnizon mbi 180 mijë konsumatorë.
Kontratat u janë dërguar konsumatorëve me postë, përmes inkasatorëve ose mund të nënshkruhen në pikat e arkëtimit dhe zyrat për konsumatorë.
Sa i përket konsumatorëve me borxhe të papaguara, Mjeku tha se kompania dërgon të paktën tre vërejtje para shkyçjes. Ata që kërkojnë marrëveshje mund ta rregullojnë borxhin duke paguar fillimisht 10 për qind të shumës totale dhe pjesën tjetër ta riprogramojnë në 12 deri në 36 muaj pa kosto shtesë.
Ajo theksoi se niveli i liqeneve akumuluese Liqeni i Batllavës dhe Liqeni i Badovcit është në gjendje të kënaqshme, çka garanton furnizim të qëndrueshëm me ujë deri në fund të vitit 2026.